EED pranon aplikime vazhdimisht. Për më shumë informacion për mënyrën e aplikimit, ju lutemi referojuni pyetjeve që bëhen më shpesh si më poshtë.
Fondi Evropian për Demokraci (EED) është një organizatë e pavarur që ofron grante në mbështetje të aktorëve të ndryshimeve demokratike në vendet fqinje me Evropën dhe më gjerë.
Fleksibiliteti, reagimi i shpejtë dhe aftësia e EED-së për të marrë përsipër rreziqe i bën të mundur asaj të përshtatet me nevojat dhe sfidat e paqëndrueshme të konteksteve lokale. EED mund të përgjigjet shpejt sipas situatës në terren dhe mund të veprojë në mjedise të vështira, shpesh përtej kufijve që nuk mbulohen nga donatorë të tjerë.
Në themel të punës së EED-së qëndron ideja se demokracia nuk mund të imponohet nga jashtë. Vetëm ndryshimi që buron nga brenda mund të çojë në një tranzicion të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës demokratik. Mbështetja e EED-së bazohet në parimin e nxitjes - jo të imponimit – të demokracisë dhe lehtësimit të nismave të aktorëve vendorë.
EED punon kryesisht në vendet fqinje me Evropën (Partneriteti Lindor, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore), në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.
Të drejtën për aplikim për financim e kanë shtetet e mëposhtme:
Algjeria, Armenia, Arabia Saudite, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Çadi, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia, Irani, Iraku, Izraeli, Jemeni, Jordania, Katari, Kazakistani, Kirgistani, Kosova*, Kuvajti, Libani, Libia, Mali, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mauritania, Moldavia, Nigeria, Omani, Palestina, Rusia, Serbia, Siria, Sudani, Shqipëria, Taxhikistani, Tunizia, Turkmenistani, Turqia, Ukraina, Uzbekistani.
Në raste të jashtëzakonshme, EED mund të financojë edhe nisma që ndërmerren jashtë vendeve të mandatit të saj, për sa kohë që aktivitetet që propozohen përfshijnë një numër të madh aktorësh nga vendet e listës së mësipërme dhe kanë si objektiv popullsinë e tyre.
Po ashtu, mund të ofrohen grante edhe për aplikime nga vendet ngjitur me vendet fqinje, në varësi të nevojave të aplikantëve, fondeve në dispozicion dhe prioriteteve.
EED synon të mbështesë kryesisht grupet dhe aktivistët që nuk mund të mbështeten nga instrumentet ekzistuese të BE-së apo programe të tjera. Mbështetja e EED plotëson programet e tjera donatore të BE-së dhe shteteve anëtare. Shpesh vepron si plotësues i boshllëqeve të programeve. EED synon të ofrojë mbështetje të shpejtë dhe fleksibël.
• EED pranon aplikime për mbështetje në çdo kohë. Nuk ka thirrje të veçanta me afat të kufizuar për aplikime.
• EED mund të mbështesë individë dhe grupe të paregjistruara.
• EED mund të mbështesë shpenzimet operative (pagat, shpenzimet administrative e të tjera të ngjashme, shpenzime komunikimi).
• EED është e specializuar për ofrimin e mbështetjes në mënyrë diskrete.
EED u krijua në vitin 2013 nga Bashkimi Evropian dhe vendet e saj anëtare. EED nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo është një organizatë e pavarur që ofron grante. Të gjitha vendimet për financime i merr Komiteti Ekzekutiv i EED-së.
EED mbështet organizatat e shoqërisë civile, lëvizje të ndryshme, mediat e pavarura dhe individë aktivistë që punojnë për një sistem politik pluralist demokratik.
Për të marrë mbështetje nga EED nuk është e thënë të jesh i regjistruar zyrtarisht. EED mbështet organizata të regjistruara por edhe ato të sapo krijuara ose të paregjistruara, platforma informale, grupe rinore dhe individë. Fokus i veçantë i punës së EED-së është mbështetja e atyre që nuk mund të mbështeten nga donatorë të tjerë dhe instrumentet aktuale të BE-së.
EED vepron sipas kërkesave dhe u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të aktorëve vendorë të demokracisë. Përfituesit e drejtpërdrejtë të EED janë lëvizjet dhe aktorët pro-demokracisë, grupet qytetare dhe organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare, mediat e pavarura, gazetarët dhe blogerët, artistët dhe grupet rinore.
Këtu mund të gjeni shembuj të aktiviteteve që janë mbështetur nga EED.
Vendimet për financime i merr Komiteti Ekzekutiv i EED-së në mbledhjet e tij të rregullta pas një vlerësimi të kujdesshëm të bërë nga Sekretariati i EED në përputhje me mandatin e saj organizativ.
EED merr parasysh, sipas mundësive, shpërndarjen e barabartë gjeografike në alokimin e fondeve mes rajoneve ku vepron.
Klikoni tek “Apliko për Mbështetje” në faqen tonë web për t’u drejtuar në portalin e sigurt të aplikimit ku do të gjeni formularin e aplikimit dhe udhëzimet përkatëse.
Formularin e aplikimit mund ta plotësoni në gjuhët e mëposhtme: anglisht, arabisht, frëngjisht, rusisht, turqisht, ukrainisht dhe në gjuhët e Ballkanit Perëndimor.
Ju lutemi vini re se për çdo aplikim kërkohet një model i buxhetit. Modele të paplotësuara në gjuhën përkatëse mund të shkarkohen nga faqet e formularëve të aplikimit.
Mund të aplikoni edhe duke dërguar formularin e aplikimit dhe modelin e buxhetit në adresën email sekretariat@democracyendowment.eu. EED pranon aplikime edhe në kopje fizike në adresën e mëposhtme:
European Endowment for Democracy Rue de la Loi 34
1040 Brussels
Belgium
EED shqyrton vazhdimisht kërkesat për mbështetje, kështu që aplikantët mund t’i dorëzojnë propozimet e tyre në çdo kohë. EED nuk publikon asnjë thirrje të veçantë për aplikime.
Vendimet përfundimtare për financim për të gjitha grantet i merr Komiteti Ekzekutiv i EED, që mblidhet çdo dy muaj. Në situata emergjente, Komiteti Ekzekutiv i EED mund të marrë vendime për financim edhe jashtë radhe të mbledhjeve të rregullta.
Jo. EED pranon kërkesa për mbështetje në disa gjuhë: arabisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, turqisht, ukrainisht dhe në gjuhët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
EED nuk ka një shumë mesatare zyrtare për financim. Pjesa më e madhe e kërkesave për mbështetje variojnë në shumat €10,000 dhe €50,000 euro. Gjithsesi, EED ofron grante edhe nën apo mbi vlerat e përmendura më sipër. Mesatarisht, grantet luhaten në kufijtë e €40,000 dhe €60,000.
Në parim, mund të dorëzoni më shumë se një kërkesë për mbështetje. Megjithatë, kini parasysh se përparësi do t’i jepet idesë më të mirë.
EED i vlerëson me shumë kujdes dhe rast pas rasti të gjitha kërkesat për përsëritje të financimit për të siguruar vazhdimësinë e vlerës së shtuar të mbështetjes së saj. Në rrethana të veçanta, vlerësohet se EED mund të shtojë vlerë duke përsëritur financimin e dhënë.
Do të merrni automatikisht një mesazh me email për të konfirmuar që EED e ka marrë kërkesën tuaj për mbështetje. Në këtë email do të jepet edhe numri i referencës i aplikimit tuaj. Ju lutemi të përdorni këtë numër nëse kërkoni informacione për statusin e kërkesës suaj për mbështetje.
Të gjithë aplikantët do të marrin një përgjigje zyrtare me rezultatin e vendimit të EED-së për aplikimin për mbështetje. EED synon t’u japë aplikantëve një përgjigje përfundimtare brenda 12 javëve.
Për të pyetur për statusin e aplikimit tuaj për mbështetje dërgoni një email në adresën secretariat@democracyendowment.eu. Vendosni në email gjithmonë numrin e referencës së aplikimit në mënyrë që ta gjejmë sa më lehtë aplikimin tuaj për mbështetje.
EED synon t’i shqyrtojë të gjitha kërkesat brenda një afati prej 8-12 javësh, por ndonjëherë procesi i shqyrtimit mund të zgjasë edhe më shumë. Gjatë këtij procesi Sekretariati i EED mund të kërkojë informacione shtesë ose sqarime të tjera.
Për shkak të numrit mjaft të madh të kërkesave që na vijnë, EED e ka të pamundur të japë arsyetim të hollësishëm për çdo aplikim të refuzuar. Megjithatë, jeni të mirëpritur të kërkoni komente për aplikimin tuaj në adresën secretariat@democracyendowment.eu.
Sekretariati i EED-së ndodhet në Bruksel (Belgjikë). EED nuk ka zyra në nivel shteti. Megjithatë, EED ka një rrjet konsulentësh që ndodhen në shumë nga vendet që mbulon kjo organizatë. Për të komunikuar me EED- në, dërgoni një email në adresën sekretariat@democracyendowment.eu.
EED ju kërkon të jepni kontaktet e tre referencave që ju njohin ju dhe punën dhe përvojën e organizatës suaj. Referencat duhet të jepen nga individë me njohuri për punën tuaj, ose me të cilët keni bashkëpunuar në të kaluarën. Personat që japin referencë mund të jenë nga çdo vend. Në mënyrë ideale, ata duhet të jenë të pavarur nga organizata/ grupi juaj dhe të mos jenë anëtarë të familjes.
Sigurohuni që ata që japin letra reference të jenë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve të EED-së në rast se kontaktohen nga një anëtar i ekipit tonë të programeve. EED jo gjithmonë kontakton me të gjitha referencat e listuara dhe mund të kontaktojë edhe me persona që nuk janë renditur si persona reference.
Në situata të jashtëzakonshme dhe qartësisht të justifikuara, EED mund të shqyrtojë një numër të kufizuar aplikimesh emergjente. Për të kërkuar mbështetje emergjente, mund të shënjoni kutizën në fund të formularit të aplikimit si dhe të jepni një sqarim të shkurtër pse aplikimi juaj është emergjent dhe pasojat e mundshme që mund të dalin në rast se nuk merrni financimin emergjent.
Në situata të jashtëzakonshme dhe qartësisht të justifikuara, EED mund të shqyrtojë një numër të kufizuar aplikimesh emergjente.
Në kriteret që një nismë të kualifikohet për mbështetje emergjente mund të bëjnë pjesë ndryshimi i papritur i situatës ku ndodheni, detyrimi për të ndërprerë aktivitetet tuaja nëse nuk i merrni dot fondet menjëherë, mungesa e paparashikuar e fondeve dhe rrethana të jashtme të papritura që kanë çuar në një situatë emergjente dhe në nevojë urgjente për mbështetje/financim.
Kërkesat për mbështetje emergjente duhet të bëhen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në kohë krizash kur financimi emergjent dhe fleksibël nga EED mund të bëjë ndryshimin. Këto raste duhet të arsyetohen me korrektësi. Fakti që dëshironi të filloni me nismën tuaj sa më shpejt që të jetë e mundur nuk justifikon kërkesën për mbështetje emergjente.
Nëse aplikimi juaj për mbështetje konsiderohet jo emergjent, ai do të shqyrtohet brenda periudhës standarde të shqyrtimit. Do të merrni automatikisht një email ku do të informoheni për këtë vendim.